Duke i përgëzuar për punën e madhe që kanë bërë, ministri Krasniqi tha se mbështetja nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk do të mungojë në asnjë rrethanë. Ai e ka quajtur një shembull mjaft të mirë Federatën e Shigjetarisë së Kosovës me punën që ka bërë, ndërsa shfaqi shpresën se shumë shpejtë edhe federata tjera do të bëhen pjesë e asociacioneve përkatëse ndërkombëtare. MKRS dhe të gjitha institucionet tjera shtetërore, tha ministri Krasniqi, po punojnë në shumë drejtime në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, nën flamurin e Kosovës.
“Ne jemi duke punuar, siç thuhet, në të gjitha frontet për të mundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, tha ai duke folur edhe për mbështetjen dhe progresin që është arritur në kërkesën për pjesëmarrje në LO “Londra 2012”.
“Është vërtetë se prioritet i yni është krijimi i mundësive për pjesëmarrje të sportistëve tanë në “LONDRA 2012”. Të gjitha angazhimet në këtë drejtim, me njerëz të fushave të ndryshme, gjithmonë janë në funksion të rritjes se një presioni pozitiv në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Progresi është vështirë të matet në periudhë të shkurtër, por padyshim që ka lëvizje sepse ajo që unë konsideroj progres është ngritja e vetëdijesimit tek bartësit në nivel ndërkombëtar, të cilët do ta thonë fjalën e vet në fund. Ne do t’i mbështesim federatat në funksionalizimin e tyre, zhvillimin e garave dhe përfaqësim ndërkombëtar”, deklaroi Krasniqi.
Nga ana e tyre, drejtuesit e Federatës së Shigjetarisë, presidenti Bardhyl Luzhnica dhe sekretari Agron Mala falënderuan ministrin Krasniqi dhe stafin e tij, që ka treguar përkrahje të fuqishme, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ata folën edhe për angazhimet e tyre deri tash dhe planet për të ardhmen. “Në vazhdimësi kemi pasur mbështetje nga MKRS dhe ky ishte një projekt i përbashkët. Ne e kemi mbështetjen e vazhdueshme të MKRS dhe i jam shumë mirënjohës ministrit dhe të gjithëve. Ne jemi në vazhdimësi të realizimit të projekteve dhe presim mbështetje në shumë fusha”, tha sekretari Agron Mala. /Telegrafi/