Telegrafi

Ministri Murati pret nxënësit shqiptarë nga Suedia

Si një ndër projektet më atraktive për nxënësit shqiptarë në diasporë janë vizitat të cilat Ministria e Diasporës tashmë tradicionalisht për çdo vit i organizon në Kosovë dhe Shqipëri, me moton “të njohim atdheun”.

Në vazhdën e këtyre ekskursioneve për nxënësit dhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe në diasporë, ministri i Diasporës, Valon Murati në ambientet e Ministrisë priti rreth 25 nxënës nga Suedia që po qëndrojnë në një vizitë disa ditore në Kosovë.

Gjatë kësaj pritje, ministri Murati fillimisht i njoftoi nxënësit me figurat më të ndritura të diasporës shqiptare, që janë vendosur si fotografi në ambientet e MeD, duke filluar nga Elena Gjika, Fan Noli, Jeronim De Rada, Nëna Terezë e deri tek Luan Krasniqi, Rita Ora e Lorik Cana, figura për të cilat edhe nxënësit vizitorë kishin njohuri mjaft të mira.

“Unë dua të falënderoj shtetin suedez për përkushtimin dhe integrimin e mësimit të gjuhës shqipe në sistemin arsimor të vendit, pasi që ruajtja e identitetit kulturor dhe historik fillon me njohjen e gjuhës amtare. Po ashtu shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe mësimdhënësit për punën e tyre të palodhshme, si dhe arsimtarët suedez në shkollat përkatëse për mbështetjen që e japin”, tha ministri Murati.

Murati njoftoi edhe për marrëveshjet e Kosovës dhe Shqipërisë për avancimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, si dhe për procesin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, duke kërkuar që këto mesazhe të përcillen edhe tek prindërit, bashkatdhetarët tanë.

Në vizitë, përpos mësimdhënësve të gjuhës shqipe, po qëndrojnë  edhe mësimdhënës suedez, të cilët janë impresionuar me bukuritë natyrore dhe historinë e Kosovës dhe Shqipërisë, duke falënderuar Ministrinë e Diasporës për angazhimin dhe mundësimin e realizimit të këtyre vizitave. /Telegrafi/