Site icon Telegrafi

Ministri Mehaj: Nënkolonel Skender Hajdari dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Hajdari, pas vdekjes së nënkolonel Skender Hajdarit.

Mehaj ka thënë se dje na tronditi të gjithëve lajmi i hidhur për ndarjen tragjike të nënkolonelit Skender Hajdari.

“Nënkolonel Hajdari si personalitet me vlera të larta kombëtare, qoftë si luftëtar i UÇK-së, si intelektual dhe ushtarak profesionist i TMK-së e FSK-së, dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe vendit në përgjithësi, shkruan Mehaj në telegramin e ngushëllimit.

Telegrami i ngushëllimit:

E dashura familje Hajdari,

Të nderuar, bashkëveprimtarë, bashkëvendës, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të nënkolonel Hajdarit,

Dje na tronditi të gjithëve lajmi i hidhur për ndarjes tragjike nga jeta e nënkolonel Skender Hajdarit. Në cilësi të ministrit të Mbrojtjes dhe si bashkëpunëtor i tij, shprehë dhembjen e thellë për humbjen e madhe jo vetëm për familjen por edhe për institucionet shtetërore dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.

Nënkolonel Hajdari si personalitet me vlera të larta kombëtare, qoftë si luftëtar i UÇK-së, si intelektual dhe ushtarak profesionist i TMK-së e FSK-së, dha shumë për të gjitha të arriturat e deritashme të FSK-së, Ministrisë së Mbrojtjes dhe vendit në përgjithësi. Ai, si lider, reflektoi edhe me karakterin dhe personalitetin e tij moral dhe profesional si shembull i ushtarakut me dinjitet e integritet të lartë. Në këto momente të vështira për familjen, jemi pranë tyre dhe bashkëndjejmë në dhembjen e madhe për të.

Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprat e nënkolonel Skender Hajdari! /Telegrafi/

Exit mobile version