Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në Pentagon është takuar me nën-sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl, ndërsa ka ofruar mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.
Mehaj këtë e njoftoi përmes një statusi në Facebook, ku ndër të tjera thotë se Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i presidentit Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE mbetet në agjendën prioritare.
Lexoni të plotë statusin e ministrit të Mbrojtjes:
Sot isha shumë i nderuar që në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon të takohem me Nën-Sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl.
Me këtë rast, Nën-Sekretarin Kahl, e njoftova me punën e suksesshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë, adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë.
Gjithashtu e njoftova se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e informuar edhe lidhur me zhvillimet kryesore në Kosovë.
Ndërlidhur me këtë e falënderova Nën-Sekretarin Kahl duke i shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike.
Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nën-Sekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.
Nga ana e tij, Nën-Sekretari Kahl ka shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin dhe partneritetin, duke më falënderuar për angazhimin e Kosovës në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar shumë edhe partneritetin në misionin e parë paqeruajtës të FSK-së në Kuvajt si dhe pjesëmarrjen e FSK-së në Stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender- Europe’21”.
Ndër të tjera, Nën -Sekretari Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i Presidentit Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare.
Nënsekretari Kahl, gjithashtu, ka theksuar se përkrahja për avancimin e kapaciteteve të FSK-së do të jetë e vazhdueshme, ndërkohë që ka vlerësuar pozitivisht edhe përgatitjet për misionet paqeruajtëse të radhës, duke e rritur kështu edhe më shumë rolin e Republikës së Kosovës si kontribuuese e paqes edhe në aspektin e sigurisë globale.
Zoti e bekoftë SHBA-në dhe miqësinë tonë të përjetshme!. /Telegrafi/