Telegrafi

Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari udhëtojnë për në SHBA, marrin pjesë në Konferencën vjetore “AUSA 2022”

Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari udhëtuan për në SHBA për të marrë pjesë në Konferencën vjetore dhe panairin “AUSA 2022”. Kështu ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Një njoftim thuhet se, me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, udhëtuan për në Washington për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2022”.

Përveç takimeve gjatë panairit me përfaqësues të kompanive të industrisë amerikane të mbrojtjes, Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari do të takohen edhe me Drejtorin e Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) dhe James Hursch, Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, Gjeneral Daniel R. Hokanson.

Gjithashtu, gjatë vizitës katër ditore pritet të takohen edhe me personalitete tjera të larta politike e ushtarake, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Vizita përkatëse e Ministrit Mehaj dhe Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shpreh fuqishëm partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. /Telegrafi/