Telegrafi

Ministri Maqedonci shpreh vullnetin për ta ndihmuar Italinë pas përmbytjeve në Toskana

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se përmes një letre zyrtare iu ka ofruar autoriteteve italiane ndihmë për tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se “mendimet dhe lutjet tona janë me popullin dhe qeverinë e Italisë”.

“Pas lajmeve për pasojat e përmbytjeve në Toskana të Italisë, përmes një letre zyrtare drejtuar ministrit Crosetto, shpreha ngushëllime në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për jetët e humbura, e po ashtu vullnetin e plotë për mbështetjen e autoriteteve italiane me aftësitë dhe kapacitetet tona operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet”, ka shkruar ministri.

Zona të mëdha të Toskanës janë vërshuar nga përmbytjet, duke lënë pesë persona të vdekur dhe disa të tjerë të zhdukur, pasi erërat e forta dhe shirat goditën Italinë qendrore.

Katër spitale u përmbytën, njerëzit u bllokuan në makinat e tyre në nënkalime dhe bregu perëndimor u godit nga dallgët e larta.

Jo vetëm Italinë, stuhia e fuqishme Ciaran ka përshkuar edhe të gjithë Evropën Perëndimore ku kanë humbur jetën deri më tani 12 persona nga rrethanat e ndryshme që u shkaktuan nga erërat e forta.

Erëra prej 207 kilometra në orë u regjistruan më herët në bregun veriperëndimor të Francës, pasi stuhia goditi edhe Anglinë Jugore, Belgjikën, Holandën dhe Gjermaninë, si dhe brigjet e Atlantikut të Spanjës dhe Portugalisë. /Telegrafi/