Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, po marrin pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.
Takimi drejtohet nga sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin si dhe Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.
“Për herë të parë pjesëmarrësve iu drejtua edhe Presidenti i Ukrainës, z. Volodymyr Zelenskyy, i cili shprehu falënderimin e popullit të Ukrainës ndaj ministrave dhe shefave të mbrojtjes të pranishëm për ndihmën e ofruar vendit të tij”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Fokusi i takimit bëhet e ditur se ishte vijimi i ofrimit të asistencës ushtarake në armatime, pajisje dhe trajnime për forcat e armatosura të Ukrainës nga vendet e këtij koalicioni.
“Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes së mbi 50 vendeve të botës që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus”, thuhet tutje. /Telegrafi/