Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nesër do të mbajë konferencë për media ku do të bëjë publike kontratën për Projektin e Termocentralit Kosovën e Re!
Këtë, ministri Lluka e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
“Të nderuar, qytetarë, media, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare. Duke dashur të ndjekë parimet e transparencës në qeverisje, ju informoj që nesër me datë 19.01.2018 në orën 10:00, në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, do të mbaj një konferencë për media ku do të bëjë publike kontratën për Projektin e Termocentralit Kosovën e Re!”, ka shkruarLluka në llogarinë e tij në Facebook.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka nënshkruar marrëveshjet komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Investimi prej 1.3 miliard eurosh do të jetësojë njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare. “Contour Global” do të sigurojë kapitalin (30% të vlerës së projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë,
Ndërsa termocentrali “Kosova e Re” do të bëhet katalizator i zhvillimit ekonomik duke ofruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, mungesë e cila i ka kushtuar ekonomisë vendore rreth 300 milionë euro humbje në vit./Telegrafi/