Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti sot gjatë ditës në takim Ambasadorin e Japonisë në Vjenë – Jo-rezident në Prishtinë, Kiyoshi Koinuma dhe Sekretarin e Parë, të kësaj Ambasade, Mitsunori Ogasawara, me të cilët biseduan mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë për sektorët që mbulon Ministria.
Ministri Lluka, njoftoi Ambasadorin Japonez, rreth angazhimit të Ministrisë për përmirësimin e klimës për investime të huaja, duke reformuar kornizën ligjore dhe institucionale, çka është vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare.
Kreu i MZHE-së, foli për projektet në zhvillim e sipër në sektorët si energjia, miniera, teknologjia e informacionit, që janë ndër sektorët që ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
Ministri Lluka e diplomati Koinuma diskutuan për Forumin Biznesor mes Japonisë dhe Kosovës që pritet të organizohet me ndihmën e Qeverise Japoneze në dhjetor të këtij viti në Japoni. Me këtë rast u bë e ditur se një delegacion i përfaqësuesve të bizneseve japoneze që do të vizitojë Kosovën në shkurt të vitit të ardhshëm, në 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Japoni.
Gjithashtu, u biseduan për financimin e disa projekteve përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), me fokus të veçantë ne sektorin e ujërave dhe mbeturinave, mbështetje kjo që nuk ka munguar në të kaluarën për këta sektorë.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm, ndërsa shprehën gatishmërinë për vazhduar dhe avancuar edhe më tutje këtë bashkëpunim. /Telegrafi/