Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka thënë se në fundjavë kanë shpërndarë 500 mijë maska për nxënësit kosovarë pas vendimit për hapjen e shkollave.
Likaj i cili ka raportuar para deputetëve të Kuvendit ka treguar edhe për mundësitë e fillimit të vitit të ri akademik.
Ai tha se është propozuar mësimi në distancë, por që vendimet do të merren nga njësitë akademike.
“Sa i përket vitit të ri akademik është shumë vështirë për me fol se si do ta zhvillojmë. Për arsye se sipas rekomandimeve antiCOVID për shkak të shmangies së kontaktit, meqenëse këta janë më të rritur, kanë propozuar një mësim në distancë por vendimet autonome i marrin vetë universitet dhe njësitë akademike. Vendimi për biblioteka, pas një numri të kërkesave të studentëve, bordi antiCOVID e ka shqyrtuar dhe e ka bërë të gatshëm për IKShP-në. Leja gjithmonë për fillimin e vitit të ri shkollor, për hapjen e institucionit dhe mbylljen e saj merret nga IKShP. Sa i përket konvikteve ende nuk ka mundësi sipas IKShP-së deri sa të përmirësohet gjendja me pandeminë”, u shpreh ai.
Sa i përket matjes së temperaturës së nxënësve, çështje që u ngrit nga Partia Demokratike e Kosovës, ministri Likaj tha se këtë mund të bëjë çdo kush, qoftë nga prindi apo edhe mësimdhënësit. Ndër tjera, ai ka folur edhe për dezinfektimit e shkollave.
“Sa i përket pajisjet me dezinfektues, ju thatë që disa shkolla janë në gjendje të mjerueshme. 100 shkolla i kam vizituar unë, shtunën, të dielën, dhe gjatë tërë javës përpos inspektoratit, krejt stafi është duke i inspektuar. Asnjë shkollë e pa certifikuar nuk ka filluar procesin mësimor”, ka shtuar Likaj.