Telegrafi

Lekaj: Së shpejti fillon zgjerimi i hyrje-daljeve në Gjilan, Ferizaj e Prizren (Video)

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se shumë shpejt pritet të fillojë zgjerimi i rrugës në hyrje të Gjilanit.

Ai ka thënë se rrugët do të zgjerohen me mbështetjen e BERZH-it.

“Sa i përket hyrje-daljeve të rrugëve, jemi të mbështetur nga BERZH, jemi në procedura dhe shumë shpejt do të shpallet tenderi për fillimin e zgjerimit të rrugës në hyrje të Gjilanit”, ka thënë Lekaj, në emisionin “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini, duke dhënë edhe arsyet e këtyre vonesave, përcjell Telegrafi.

“Është stërzgjatur diku tri vite e gjysmë, sepse kemi pasur problem derisa jemi dakorduar me kriteret e BERZH-it, por tashmë është zgjidhur problemi dhe shumë shpejt do të fillojmë procedurat”, është shprehur Lekaj.

Lekaj ka thënë se BERZH-i do të financojë edhe zgjerimet e rrugëve në hyrje të Ferizajt dhe Prizrenit.

Sipas tij, në Prizren rruga do të zgjerohet në drejtim të Brezovicës./Telegrafi/