Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, vizitoi Universitetin Mjekësor të Vjenës ku u takua me zv. Rektor për Çështje Klinike, Prof. Dr. Oswald Wanger
Në këtë takim ministri Latifi shprehu interesimin për bashkëpunim dhe njëkohësisht mbështetje për transformimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, duke veçuar riorganizimin e shëndetësisë dhe duke krijuar Universitetin Mjekësor të Kosovës.
Për këtë çështje dhe shumë të tjera që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor, ministri Latifi prezantoi shtatë shtyllat e transformimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, dhe krijimin e 14 Qendrave të Ekselencës, dhe 22 subspecializime për më shumë se 50 ekspertë shëndetësor nga Kosova, për të cilat mori mbështetje nga nikoqiri i takimit, Prof.Dr. Wagner.
Duke e ditur se Kosova ka një popullatë të re dhe shumë ambicioze në shkencë, ministri Latifi kërkoi përkrahje nga z. Wagner që gjeneratat e tilla të trajnohen në Vjenë për hulumtime shkencore dhe profile tjera.
Ndërkaq, Prof. Dr. Wagner ofroi mbështetjen e parezervë për të ndihmuar ministrin Latifi në implementimin e transformimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, e që ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët. /Telegrafi/