Telegrafi

Ministri Kujtim Gashi: Blerim Peci u nda nga kjo jetë në moshë të re, por la vepër voluminoze

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i ka dërguar familjes Peci telegram ngushëllimi pas vdekjes së aktorit të njohur Blerim Beci.

“Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Blerimit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh dhe jemi shokuar”, shkruhet ndër të tjerash në telegramin ngushëllues të MKRS-së.

Aktori ndërroi jetë në orët e para të ditës së sotme dhe mësohet se kohët e fundit vuante nga sëmundja e mëlçisë.

Atë e kemi parë në shumë role të shou humorisitik duke përfshirë emisionin “Vikendi” dhe “Show Meselation”.

Ai ishte i martuar me aktoren e njohur Afërdita Sopjani dhe kishte dy fëmijë.

Ndryshe, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryediplomati, Behgjet Pacolli i kanë shprehur ngushëllimet familjes dhe miqve të aktorit të ndjerë, Peci.

E nderuara familja Peci,
Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Blerimit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh dhe jemi shokuar.
Blerimi u nda nga kjo jetë në moshë të re, por vepra që la është voluminoze. Krijimtaria dhe produktiviteti i tij i panumërt do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin ka punuar dhe kontributin që ai ka dhënë në vazhdimësi e ka sjellë artin në Kosovë në një nivel tjetër.
Me kontributin e tij, Beli, siç e quajtën miqtë e tij, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e artit e të kulturës dhe jashtë saj. Me punën e tij ka bërë që të jetë i vlerësuar dhe motor që ka futur në lëvizje ata që kanë qenë përreth tij. Me entuziazmin e tij ai do të krijonte edhe shumë e më shumë, posaçërisht në fushën e humorit dhe për këtë Blerimi do të na mungojë edhe më shumë.
Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës.
Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Blerim Pecit.
Sinqerisht,
Kujtim Gashi
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit /Telegrafi/