Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, gjatë një konference me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, ku theksoi se Kroacia mbështet këtë proces të lehtësuar nga BE-ja.
Ai shtoi se shteti të cilin ai e përfaqëson është kundër çdo ndryshimi të kufijve.
“Kroacia e përkrah dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut dhe me mbështetjen e administratës së SHBA-ve. Po ashtu, përkrahim rrugët evropiane të Kosovës në BE. Shpresojmë që bisedimet të rifillojnë në qershor. Në të njëjtën kohë Kroacia gjithashtu është kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan “, tha Ramdan.
Ai ka garantuar mbështetje për Kosovën sa i përket heqjes së vizave.
“Të punojmë që ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë atë. Republika e Kroacisë i jep përkrahjen e plotë të liberalizimit të vizave”, shtoi ai. /Telegrafi/