Telegrafi

Ministri kroat ia konfirmon Konjufcës një kontingjent prej 10 mijë vaksina antiCOVID për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet politike, liberalizimin e vizave dhe stabilitetin rajonal.

Në njoftimin për media thuhet se kryediplomati Radman, pasi e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën dhe konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nënvizoi se Kroacia dhe Kosova janë dy vende miqësore dhe shprehu qëndrimin e shtetit kroat për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën e saj euroatlantike.

Në takim, veç tjerash, u bisedua edhe për pandeminë, hapat për sigurimin e vaksinave dhe domosdoshmërinë e imunizimit të qytetarëve tanë, me ç’rast kryediplomati kroat konfirmoi se Kroacia ka siguruar 10 mijë vaksina anti-Covid për Kosovën.​

Nga ana e tij, kryekuvendari Konjufca ka falënderuar kryediplomatin Radman për përkrahjen që shteti kroat i ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, duke vënë pah se Kroacia fqinje është një shtet mik dhe se vendi ynë është i përkushtuar të avancojë  marrëdhëniet dypalëshe.

I pari i Kuvendit, duke vlerësuar lart kontributin e Kroacisë, u shpreh se orientim afatgjatë strategjik i Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata tjera ndërkombëtare. /Telegrafi/