Telegrafi

Ministri Krasniqi viziton Zveçanin dhe Zubin Potokun, përcolli procesin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, gjatë së martës, ka vizituar në veri, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Kjo pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se në Zveçan ka vizituar zyrën e gjendjes civile, për të parë procesin e ofrimit të shërbimeve.

“Me nënkryetarin e Komunës së Zveçanit, Florim Kelmendi, vizituam zyrën e gjendjes civile dhe u njoftuam nga afër për procesin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

“Me zëvendëskryesuesin e Komunës së Zubin Potokut, Vedat Mehmeti vizituam shkollën në fshatin Çabër”, shkroi Krasniqi.

Ditë më parë edhe kryeministri Albin Kurti zhvilloi takim me përfaqësues të katër komunave veriore të Kosovës.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Skender Sadiku ka thënë për Telegrafin se gjatë këtij takimi është kërkuar siguri si dhe ruajtjen e qetësisë për qytetarët në veri të vendit.

Sadiku shtoi se nga kryeministri Kurti kanë kërkuar që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e qeverisë.

“Në takim ne kërkuam që të ruajmë qetësinë dhe me na e ruajt familjen, sepse atje jetojnë njerëz. Kërkuam që eventualisht të kemi komunikim me institucionet e qeverisë. Prezent ka qenë dhe ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi”, ka deklaruar Sadiku./Telegrafi/