Alain Giresse, i cili aktualisht është përzgjedhës i përfaqësueses së Senegalit, dje ishte mysafir edhe i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ku ishin të pranishëm edhe disa nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës me në krye Fadil Vokrrin.
Ministri Krasniqi e njoftoi Giresse me mbështetjen që shteti po jep për futbollin dhe sportin në përgjithësi, duke e informuar edhe për sukseset dhe sfidat që përballet futbolli kosovar.
Ai po ashtu e ka falënderuar për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në ndërkombëtarizim dhe ka kërkuar nga ai që të vazhdojë të mbështesë Kosovën për anëtarësim në UEFA, FIFA dhe institucione të tjera.
Gjithashtu, ministri Krasniqi tha se Franca është një mike e Kosovës dhe se Federata e Futbollit të Francës ka treguar një bashkëpunim të lartë në vizitën që ministri dhe kryetari Vokrri e kishin bërë në dhjetor të vitit 2013.
Ministri i sportit kosovar, ndër të tjera, foli edhe për prioritetet në sport, ku ka vlerësuar rolin e FFK-së që po bën ndërkombëtarizimin e futbollit.
Ndërkaq, ish-futbollisti i kombëtares franceze, Bordeaux dhe Marseille shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Kosovë dhe falënderoi ministrin për takimin dhe punën që po bën për futbollin e vendit dhe synimet për ndërkombëtarizimin e tij. Ai shprehu optimizmin e tij që FIFA do të japë përgjigje pozitive për Kosovën më 13 janar. /Zëri/Telegrafi/