Ministri Krasniqi e ka përgëzuar volejbollistin Adriatik Kajtazi për sukseset e arritura në këtë sport, por edhe për sukseset e mëhershme kur ka luajtur në Kosovë, në Maqedoni, si dhe duke e përfaqësuar kombëtaren e Shqipërisë.
Ministri Krasniqi ka cilësuar se shembulli i tij në angazhimin dhe motivimin që ka për punën sportive, duhet të ndiqet edhe nga volejbollistë tjerë e kësisoj të avancohen profesionalisht në këtë sport, duke konsideruar se sukseset që arrijnë volejbollistët si Adriatiku, në përgjithësi ndikojnë në përmirësimin e imazhit të vendit tonë në botë, duke bërë kështu një hap më tutje drejt ndërkombëtarizimit edhe të këtij sporti dhe sporteve tjera që kultivohen në Kosovë.
Ndërsa volejbollisti Adriatik Kajtazi e ka falënderuar ministrin për pritjen dhe përkrahjen e MKRS-së dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për interesimin e shfaqur për karrierën e tij.
Kajtazi e informoi ministrin Krasniqi hollësisht për sukseset e deritanishme që ka arritur në karrierën e tij si volejbollist dhe për planet e tij të ardhshme.
Adriatik Kajtazi, në nëntor të 2011 e la klubin e Shkëndisë së Tetovës duke nënshkruar kontratë të re me Qatar Sport Club të kryeqytetit të Katarit, Doha. Adriatiku më parë ka qenë volejbollisti i skuadrave kampione, Mabetex-it, Studentit të Tiranës, Pallavollo Luganos, etj. /Express/Telegrafi/