Site icon Telegrafi

Ministri izraelit i Financave nxit reagime, mohon ekzistencën e popullit palestinez – thotë se është koncept i shpikur 100 vjet më parë

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, mohoi mbrëmë në Paris ekzistencën e popullit palestinez, duke thënë se është një koncept i shpikur më pak se 100 vjet më parë, shkruan Times of Israel.

“Nuk ka palestinezë sepse nuk ka popull palestinez”, tha Smotrich në një ngjarje në kryeqytetin francez, transmeton Telegrafi.

Koncepti, tha Smotrich, u shpik nga “disa arabë në rajon për të luftuar lëvizjen sioniste”.

“Kjo e vërtetë historike duhet të dëgjohet në mbarë botën, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë në Uashington”, shtoi ai.

“Nuk ka histori palestineze. Nuk ka gjuhë palestineze”, vazhdoi Smotrich në fjalimin, i cili u mbajt në hebraisht.

Ai shtoi se njerëzit si ai dhe gjyshërit e tij janë “palestinezë të vërtetë” dhe theksoi se familja e tij ka jetuar në rajon për trembëdhjetë breza.

Ministria e Jashtme  Palestinës ka reaguar ndaj deklaratave nxitëse të Smotrich. E quajti deklaratën “raciste, fashiste dhe ekstremiste”, dhe thanë se inkurajon përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

Komentet e Smotrich erdhën ndërsa bisedimet midis zyrtarëve palestinezë dhe izraelitë vazhduan në Egjipt të dielën për të frenuar dhunën në rritje, në takimin e dytë të tillë në më pak se një muaj.

Zyrtarët u zotuan të punojnë për të zbutur dhunën përpara muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Në vitet e mëparshme, përleshjet shpërthyen midis policisë izraelite dhe palestinezëve pranë xhamisë Al-Aksa të Jerusalemit në kulmin e Ramazanit, i cili këtë vit përkon me Pashkën hebraike dhe Pashkët e krishtera. /Telegrafi/

 

Exit mobile version