Site icon Telegrafi

Ministri Ismaili viziton të lënduarit në Spitalin e Gjilanit, gjendja e tyre është stabile

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar të lënduarit në Spitalin e Gjilanit.

Ismaili në një status në rrjetin social Facebook ka shkruar se gjendja e të lënduarve është stabile, por se sipas tij janë tre persona të lënduar të cilët po trajtohen për lëndime më të rënda në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

“Sapo vizitova të lënduarit që janë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit nga aksidenti fatkeq që ndodhi sot atje. Gjendja e të lënduarve në këtë spital është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.Për momentin janë tre persona të lënduar të cilët po trajtohen për lëndime më të rënda në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po u jepet i gjithë trajtimi i nevojshëm”, ka thënë ai.

Ministri Ismaili ka falënderuar ekipet mjekësore në spitalin e Gjilanit dhe në QKUK, të cilët kanë qenë në gjendje gatishmërie për të ofruar të gjithë ndihmën e duhur.

“Falënderoj të gjitha ekipet mjekësore, sikur në Spitalin e Gjilanit por edhe në QKUK, të cilët që nga momenti që ka ndodhur aksidenti kanë qenë në gjendje gatishmërie për të ofruar të gjithë ndihmën e duhur. Mobilizimi do të vazhdoj deri në trajtimin e të gjithë të lënduarve nga ky aksident, qoftë edhe nëse paraqitet nevoja për dërgimin e ndonjërit prej tyre për trajtim jashtë vendit. Uroj që ky të jetë aksidenti i fundit dhe pamje të tilla të mos shohim më në rrugët e Kosovës”, ka shkruar ai./Telegrafi/

Exit mobile version