Site icon Telegrafi

Ministri Ismaili: Do të shtojmë investimet për ta forcuar shëndetësinë nëpër komuna

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, u ka dorëzuar sot kryetarëve dhe përfaqësuesit të 38 komunave të Kosovës, raportin kombëtar “Cilësia e Kujdesit”, i mbështetur nga AQH.

Sipas një njoftimi, studimi ka vlerësuar infrastrukturën, standardet e higjienës dhe sigurisë, pajisjet mjekësore esenciale ekzistuese, si dhe kënaqshmërinë e pacientit.

Gjatë kësaj tryeze, ministri Ismaili tha se nga fillimi i mandatit të tij, kujdesi primar ka qenë prioritet në fushën e shëndetësisë.

“Ky projekt ka rëndësi të veçantë, ngase përpos që u jep kryetarëve të komunave një pasqyrë fillestare të gjendjes në terren, i ofron mundësi edhe Ministrisë së Shëndetësisë që t’i orientojë fondet aty ku është nevoja më e madhe. Kështu, do të kishim mundësinë që bashkë të krijojmë një bashkëpunim substancial, konkret, me buxhet të planifikuar, në realizimin e projekteve që kemi”, ka thënë ministri Ismaili.

Ministri Ismaili ka shtuar se në kuadër të planit të punës për vitin 2019 në kujdesin primar ka pasur disa aktivitete shumë të rëndësishme.

Ai përmendi hartimin e strategjisë për kujdesin primar shëndetësor, i cili do të fillojë pas këtij vlerësimi të AQH-së, fillimin e shpërndarjeve të pajisjeve bazike për kujdesin parësor shëndetësor në të gjitha komunat, fillimin e zbatimit të zonimit, duke krijuar listat e pacientëve për ekipet e mjekësisë familjare, hartimin e planit operativ për promovimin e mjekësisë familjare, i cili ka filluar të prezantohet në të gjitha komunat, etj.

Ndërsa siç thuhet në njoftim, ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, ka folur për rëndësinë e këtij projekti dhe forcimin e kujdesit parësor shëndetësor.

Në njoftim thuhet se ky takim ishte vazhdim i diskutimit mbi forcimin e kujdesit parësor shëndetësor (KPSh), të zhvilluar më 5 korrik 2018. /Telegrafi/

Exit mobile version