Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se në kuadër të angazhimit të tij, që sa më parë ta funksionalizoj Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, sot edhe zyrtarisht u ka dërguar kërkesë të gjithë akterëve të përcaktuar me ligj, për të propozuar emrat e tyre që do të jenë pjesë e bordit të këtij Fondi.
Porsa të merr propozimet, më së largu më 12 mars, Ismaili ka thënë se do t’i dërgoj emrat për miratim në Qeveri.
“Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës, do të jetë përgjegjës për zbatimin e të gjitha akteve ligjore si dhe të mbikëqyrë veprimtarinë dhe ligjshmërinë e punëve të Fondit”.
“Është detyrë e imja si ministër që të mbroj qytetarët nga varfërimi për shkak të shpenzimeve në shërbime shëndetësore, andaj themelimi i këtij Bordi na ofron një hap më shumë drejt arritjes së këtij qëllimi”.
“Brenda dy vitesh të këtij mandati, edhe qytetarët e Kosovës do të jenë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore”, ka bërë të ditur përmes një komunikate ministri Ismaili. /Telegrafi/