Site icon Telegrafi

Ministri hungarez Péter Szijjártó dëshiron anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Agjencia e lajmeve ”Anadolu Agency” citon ministrin e tregtisë dhe punëve të jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó, të ketë deklaruar se Maqedonia, Gjeorgjia dhe Bosnja e Hercegovina duhet të ftohen sa më shpejtë në NATO, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ai ka theksuar se NATO do të ishte në mënyrë shtesë më e fuqishme dhe ndikuese nëse do të pranonte anëtare të reja.

“NATO tregoi guxim kur ftoi Malin e Zi të bëhet vend anëtarë i Aleancës. Në rrethanat ekzistuese, në kërcënimin e ri global, paraqiten kërcënime të reja ndaj NATO-s nga jugu dhe veriu. Prandaj është i nevojshëm përshpejtimi i politikës së zgjerimit të Aleancës”, ka thënë Péter Szijjártó.

Më pas ai ka theksuar se nevojitet sa më shpejtë të pranohen anëtare të reja në NATO meqë ekzistojnë shumë kërcënime për sigurinë në mbarë botën.

“Hungaria dëshiron që Maqedonia, Gjeorgjia dhe Bosnja e Hercegovina sa më shpejtë të ftohen në Aleancë. Integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në NATO do ta bënte rajonin edhe më të sigurtë”, ka thënë ministri hungarez./Telegrafi/

Exit mobile version