Site icon Telegrafi

Ministri Hoxhaj falënderon FFGJ për mbështetjen që po jep për futbollin kosovar

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të lartë të FFGJ-së dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ministri Hoxhaj shprehu mirënjohje për mbështetjen që Federata gjermane po jep për futbollin kosovar.

“Hoxhaj foli për përpjekjet e gjithanshme të Kosovës për t’u bërë pjesë e të gjitha organizatave rajonale, evropiane e ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rëndësinë që ka për Kosovën anëtarësimi në federatat e futbollit, FIFA dhe UEFA. Në këtë kontekst, duke iu referuar mbështetjes së gjithanshëm që Gjermania po jep për Kosovën, Hoxhaj theksoi se Gjermania është partner strategjik i Kosovës edhe në sport, e veçanërisht në futboll”, është thënë në njoftimin e MPJK-së.

Sipas këtij njoftimi, gjatë këtij takimi, ministri Hoxhaj ka theksuar edhe angazhimet konkrete të MPJ-së për ndërkombëtarizimin e sportit, e posaçërisht futbollit kosovar.

Ndërkaq, nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Rainer Milkoreit, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë në zhvillimin e futbollit, duke shprehur përkrahjen e FFGJ-së në arritjen e objektivave të futbollit kosovar, përfshirë edhe anëtarësimin në federatat ndërkombëtare të futbollit. /KosovaPress/Telegrafi/ 

Exit mobile version