Site icon Telegrafi

Ministri Hoti në Konferencën për bashkëpunimin OECD-së me Shtetet e Evropës Juglindore

Një delegacion i Republikës së Kosovës i përbërë nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryesuar nga Ministri i Financave Avdullah Hoti, po merr pjesë në Konferencën e nivelit të lartë “Rritja e bashkëpunimit në mes të OECD-së dhe Evropës Juglindore”, e cila po mbahet sot në qendrën e OECD – Organization for Economic Co-operation and Development (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim), në Paris të Francës.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë Ministra dhe zyrtarë tjerë të lartë të Evropës Juglindore. Ministri i Financave Avdullah Hoti para pjesëmarrësve ka prezantuar sot një përmbledhje të bashkëpunimit të deritanishëm të Republikës së Kosovës me OECD-në, dhe ka diskutuar mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me këtë Organizatë.

Ministri Avdullah Hoti gjithashtu ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për idenë e krijimit të një forumi të nivelit të lartë për dialog ndërmjet shteteve anëtare të OECD-së dhe shteteve të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me OECD-në.

Ai theksoi se bashkëpunimi ekzistues jep një orientim të mirë për avancim në të ardhmen. “Kosova mund të përfitojë edhe më shumë nga qasja në ekspertizën e OECD-së mbi menaxhimin e financave publike, reformave të administratës publike, dhe të politikave sektoriale. Kjo i shton vlerë përkushtimit tonë për nxitjen e zhvillimit të sektorit privat”. /Telegrafi/

Exit mobile version