Ministri i Financave Bedri Hamza e ka mbajtur konferencën e fundvitit ku ka thënë se vitin 2018 janë duke e përmbyllur me mirë financiarisht për Kosovën, e kjo po rezulton me rritjen e buxhetit shtetërorë prej 6 për qind në dallim me vitin 2017.
“Kemi rritje të hyrave për buxhetin e Kosovës në dallim me vitin paraprak me 6 për qind. Për mos përmbushje qind për qind ka ndikuar një performancë e dobët sidomos tek të hyrat që i administrojnë komunat. Të hyrat tatimore kemi shumë prej rreth 1.5 milion dhe kemi rritje më të mirë. Investimet kapitale e kalojnë shumën e 500 milionë. Vitet e kaluara ka qenë zakonisht më i ulët dhe ne kemi qëllim të kemi rritje të investimeve kapitale”, tha Hamza.
Sipas tij, 25 marrëveshje financiare u nënshkruan në mesin e tyre 17 kanë qenë grante.
“Me përgjegjësi e them se po e përmbyllim një vit të suksesshëm. Kemi arrit t’i nënshkruajmë 25 marrëveshje financiare, 17 prej të cilave janë grante. Kjo është bërë falë punës së MF-së dhe një besimi të donatorëve të MF-së dhe qytetarët kanë fituar 181 milionë. Gjatë këtij viti kemi draftu 14 ligje në kuvend. Që në fillim të vitit kanë hy në fuqi vendimet që kanë krijuar ambient të përshtatshëm. I kemi liruar të gjitha lëndët e para, linjat e prodhimit ,lëndët djegëse,pajisjet e ti dhe prej këtyre lirimeve kanë përfituar më shumë se 400 biznese”, u shpreh Hamza.
Viti 2018 ai tha se po e përmbyllin me përfundimin e të gjitha obligimeve ligjore.“Sa i përket zhvillimeve, viti po përmbyllet mire, kemi arrit t’i kryejmë të gjitha obligimet tona ligjore, transferet sociale. Kemi ekzekutuar çekun e fundit për këtë vit me datën 24. Sot e kemi bë ekzekutimin e pagave për të gjithë shërbyesit publikë që marrin paga nga buxheti. Sipas vlerësimeve tona rritja ekonomike do jetë 4.3 për qind. Kjo ka ardhur si rezultat i investimeve të sektorit privat dhe publik dhe të punësuarve”, shtoi Hamza.
Kosova ka qëndrueshmëri financiare me borxhin publik rreth 17 për qind, ndërsa bilanci bankar pritet të jetë 385 milion euro ose më mirë.
“Borxhi publik, vërejmë që Kosova ka qëndrueshmëri, borxhi publik është rreth është 17 për qind. Nëse krahasojmë 2017-18 shohim se ka rritje vetëm për një për qind. Kjo tregon se ne si MF kemi bë kujdes jashtëzakonisht të madh për borxhin publik. Bilanci bankar, përkundër që kemi pas rritje të buxhetit, presim që të jetë 385 milionë apo më mirë”, u shpreh kreu i financave.
Buxheti për vitin e ardhshëm është bërë para afatit kohorë, sipas Hamzës, 12.7 për qind më i lartë. “Është 12.7 për qind më i lartë se vitin e kaluar. Ka pas rritje të treguesve ekonomikë. Viti 2019 nëse bëhet ashtu siç është planifikuar mund të jetë më i mirë. Ne duhet të punojmë shumë të disiplinuar, mos të marrim vendime ad-hok dhe mos të marrim ligje që i dëmtojmë treguesit makro-ekonomikë”, tha Hamza. /Telegrafi/