Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë Marija Kapitanoviq, të cilën e falënderoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe e njoftoi ate për të arriturat e Ministrisë së Financave gjatë 3 mujorit të fundit të këtij viti, për planet dhe strategjitë e Ministrisë për vitin 2018, si dhe për procesin e Buxhetit të shtetit për vitin 2018.
Ministri Bedri Hamza gjithashtu e njoftoi Ambasadoren Kapitanoviq për prioritetet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e indikatorëve makro fiskal, si dhe për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Ndërsa, Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Marija Kapitanoviq duke falënderuar Ministrin Hamza për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në lëmin e ekonomisë dhe financave dhe gjithashtu shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.
Në këtë takim gjithashtu u diskutua për përgatitjet e Forumit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, i cili pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm në Kroaci. /Telegrafi/