Telegrafi

Ministri gjerman Jens Spahn vizitoi Kolegjin Heimerer

Ministri i Shëndetësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn, ishte të hënën për vizitë në Prishtinë.

“Gjatë kësaj vizite, Ministri Spahn gjeti kohë për të kaluar më shumë se një orë në kampusin gjermano-kosovar për karrierë në shëndetësi, Kolegjin Heimerer, i shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, si dhe nga një delegacion nga kabineti i tij në Ministrinë gjermane të Shëndetësisë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja më për së afërmi e Kolegjit Heimerer, si dhe krijimi i një imazhi mbi atë se si studentët e Kolegjit Heimerer përgatiten që nga aspekti arsimor, e deri tek hyrja në tregun e punës në Gjermani. Për këtë arsye, Ministri Spahn u takua fillimisht me themeluesit e Kolegjit Heimerer dhe përfaqësuesit e bordit drejtues, duke diskutuar për objektivat dhe planin e ardhshëm të Kolegjit, por edhe për çështjen e njohjes së diplomave në Gjermani dhe mënyra konkrete për ta thjeshtësuar këtë proces”, thuhet në njoftimin për media.

Ministri Spahn po ashtu pati biseda të drejtpërdrejta me studentët e Kolegjit Heimerer, ku diskutoi në detaje për përvojat dhe pritjet e tyre për provime dhe praktika në Gjermani. Para kësaj, ai gjithashtu pati mundësinë të vizitonte hapësirat ku mbahen ligjëratat dhe ushtrimet, dhe të ndiqte disa klasa gjatë procesit mësimor. Së fundmi, ministri u përshëndet nga të gjithë studentët me një foto të përbashkët. /Telegrafi/