Site icon Telegrafi

Ministri Gashi: Të përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur në takim Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Në këtë takim u bisedua lidhur me çështjen e sigurisë dhe proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Gjatë takimit, ministri Gashi e njoftoi diplomatin amerikan Marocco lidhur me punën e institucioneve të sigurisë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në vend.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë do të vazhdojnë të luftojnë aktivitetet e jashtëligjshme në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Republikën e Kosovës”, tha ministri Gashi.

Gashi tha se Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu është e përkushtuar në luftimin e të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke përfshirë këtu edhe krimin trans-kufitar.

Në këtë drejtim, ministri Gashi vlerësoi se anëtarësimi në INTERPOL tashmë është një domosdoshmëri për ofrimin e sigurisë jo vetëm në Republikën e Kosovës por edhe në rajon e më gjerë.

Në anën tjetër, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe pohoi se është e nevojshme për një përkushtim më të madh në ruajtjen dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në Kosovë.

Me këtë rast, ai u zotua se përkrahja e ShBA-ve në forcimin e mëtejmë të institucioneve të sigurisë në Kosovë do të vazhdojë edhe më tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version