Telegrafi

Ministri Gashi: Shpëtim Bajoku e meritoi fitoren, gjyqtarët dhanë vlerësim të padrejtë

Besim Hasani dhe Kujtim Gashi (Foto: Kosovo National Olympic Committee)

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është shprehur i dëshpëruar me eliminimin e hershëm të Shpëtim Bajokut në Lojërat e dyta Evropiane që po mbahen në Minsk të Bjellorusisë.

Boksieri kosovar ka humbur në përballje me Ahmad Shtiwin e Izraelit në kategorinë deri në 64 kilogramë, derisa gjyqtarët vendosën ta vlerësonin izraelitin 4-1 me pikë. Ministri Gashi tha se ishin të bindur që boksieri jonë do ta fitonte atë përballje, mirëpo vendimi i gjyqtarëve nuk ishte korrekt.

“Ishim të sigurt që Shpëtim Bajoku do të fitonte, mirëpo gjyqtarët na befasuan me vendimin e tyre pasi ishte një vendim i padrejtë”, ka thënë ministri Gashi në një intervistë për RTK-në.

“Ky vlerësim na zhgënjeu edhe neve si pjesëmarrës. U vërejt se kishte probleme edhe sot në ndarjen e drejtësisë, pasi Shpëtimi zhvilloi një përballje të mirë dhe vërehet se ka talent të jashtëzakonshëm”, ka shtuar ministri, i cili ka folur edhe për eliminimin e Akil Gjakovës nga xhudo, duke thënë se ishte i ngutur që ta përfundonte përballjen para kohe.

“Këtu jam për t’i përcjellë të gjitha përballjet në Minsk. Ajo që u pa në përballjen e Akilit se kishte shumë vetëbesim dhe u pa se ngutej që ta përfundonte përballjen më herët, por ne tashmë kemi fituar dy medalje edhe pse kemi pritur medalje nga Akili, por shpresojmë që Loriana Kuka të na sjellë edhe një medalje”, ka deklaruar Gashi.

Lexo po ashtu Shpëtim Bajoku i pafat, eliminohet nga Lojërat e dyta Evropiane

Më tej, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka treguar se si do të ndahen shpërblimet për Majlinda Kelmendin dhe Nora Gajkovën që kanë fituar medalje.

“Në rregullore specifikohet se si sportistët do t’i marrin shpërblimet. Medalja e artë e Majlindës do të ketë vlerën më të madhe dhe do të shpërblehet nga shteti i Kosovës, por edhe do të ketë edhe një ceremoni të veçantë kur të kthehemi. Majlinda, Nora, por edhe sportistët e tjerë që fitojnë medalje dhe ata që s’kanë fituar, do t’i shpërblejmë për t’u dhënë një vullnet më të madh për të ardhmen”, ka shtuar Gashi. /Telegrafi/