Ndeshja mes Kosovës U-20 dhe Serbisë të kësaj grupmoshe është anuluar.
E gjithë kjo ndodhi pasi disa tifozë janë tubuar në afërsi të palestrës ku ka pasur të zhvillohet ndeshja.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsa Stefanovic, ishte ai që e konfirmoi mos zhvillimin e ndeshjes.
Tifozët e Cervena Zvezdës ishin tubuar para palestrës dhe anulimi i ndeshjes u bë për shkak të tensioneve të mëdha të krijuara para fillimit të saj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë për Telegrafin, se moszhvillimi i kësaj ndeshjes është dështim i sigurisë së nikoqirit.
“Mendoj se është dashur të merren masa paraprake për të siguruar që ndeshja të zhvillohet, por nëse vërtetë është pa si e pamundur të zhvillohet për shkaqe sigurie, atëherë uroj që kjo ndeshje të zhvillohet me një ambient më të sigurt për lojtaret”.
“Gjithsesi është obligim i nikoqirit të krijoj kushte që ndeshja të zhvillohet, dhe mendoj se kemi të bëjmë me një dështim të autoriteteve të sigurisë meqë ka ardhur deri te anulimi i kësaj ndeshje të rëndësishme”, ka thënë ministri Gashi për Telegrafin.
Ende nuk ka reagim të Federatës së Hendbollit të Kosovës në faqen zyrtare të saj për rastin e sotëm. /Telegrafi/