Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, deklaroi të hënën se ishte e mundur që një lloj i virusit të ri të COVID-19 po qarkullonte edhe në Francë, megjithëse testet e fundit nuk e kishin identifikuar atë në vend.
“Është plotësisht e mundur që virusi po qarkullon në Francë”, i tha Veran radios Evropa 1.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, varianti i ri i coronavirusit i zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar raportohet të jetë 70 për qind më i transmetueshëm, duke detyruar masa të reja bllokimi në vend si dhe kufizime të udhëtimeve nga vendet fqinje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se raste me variantin e ri janë identifikuar edhe në Danimarkë, Holandë si dhe në Australi.
Gjatë ditës së djeshme, autoritetet shëndetësore në Itali konfirmuan se një rast i ngjashëm u konfirmua edhe në vendin e tyre. /Telegrafi/