Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka thënë sot se Franca mendon se në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës të shkaktojë përçarje ndërmjet vendeve në Këshillin e Evropës dhe se sipas tij “kjo çështje duhet të shqyrtohet më vonë”.
Barrot u tha gazetarëve para mbledhjes së Këshillit të Ministrave se Franca është një nga anëtarët e Këshillit të Evropës që e njeh Kosovën dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e KiE-së, raporton Euronews, dega në Serbi.
“Megjithatë, Franca mendon se në këtë drejtim, Kosova ende duhet të kalojë një rrugë të caktuar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, citohet të ketë thënë Barrot.
Ndryshe, një ditë më parë Qeveria e Kosovës njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert.
I njëjti draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji.
Pas dërgimit të kësaj letre dhe njoftimit ka reaguar Presidenca e Kosovës.
Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk është konsultuar e as dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.
Ndërkaq, Franca, Gjermania dhe Italia kanë ngulur këmbë në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ato e mbështesin draft-statutin e propozuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, për themelimin e një Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në letrën e përbashkët të presidentit të Francës Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë Giorgia Meloni më 15 maj, thuhet se draft-statuti i paraqitur nga Lajçak nuk është thjesht “një propozim zotërinjsh”.
“Ai është model i qëndrueshëm, i përpiluar me kujdes me ndihmën e ligjvënësve dhe ekspertëve evropianë, në përputhje me praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai i merr parasysh plotësisht të gjitha vijat tuaja të kuqe, si dhe kornizën ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. E theksojmë përsëri se ne nuk e duam një Kosovë jofunksionale, dhe Asociacioni në asnjë mënyrë nuk është i krahasueshëm me Republikën Srpska”, thuhet në letër.