Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër sulmin që i është bërë gazetarit të IndeksOnline, Ensar Ramadani, nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Siç shkruan IndeksOnline, ministri Shala e ka goditur në fytyrë gazetarin Ramadani, përderisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës. Ai ishte duke përcjellë nga afër gjendjen e zyrtarit tjetër të Nismës, Luan Malokut, në QKUK.
Në vendngjarje, Shala i ka kërkuar telefonin gazetarit dhe pas refuzimit të kësaj kërkese, Shala e ka sulmuar fizikisht atë duke e goditur në fytyrë, thuhet në reagimin e AGK.
Gazetari Ensar Ramadani, që u sulmua sonte nga Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala
Për rastin në fjalë, AGK ka marrë edhe deklaratën e Policisë së Kosovës, sipas të cilëve, gazetari aktualisht është duke u marrë në pyetje në stacionin e “Jugut”, dhe se njësitet policore janë duke e trajtuar rastin.
AGK dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve.
AGK në të njëjtë kohë inkurajon kolegët gazetarë që të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre dhe të mos ndalen para asnjë sulmi e kërcënimi. /Telegrafi/