Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli dhe komandanti i Forcës së Sigurisë(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama u pritën zyrtarisht në Pentagon nga shefi i Gardës Kombëtare të shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), gjenerali Frank Grass.
Në takimin e përbashkët të ministrit Demolli dhe gjeneral Ramës me gjeneralin Grass, e ku ishte i pranishëm edhe shefi i Gardës Kombëtare të Aiovës, gjeneral Timothy Orr u bisedua për marrëdhëniet Kosovë-ShBA në fushën e sigurisë, procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK), si dhe çështje e tema tjera me rëndësi nga siguria.
Demolli e njoftoi gjeneralin Grass mbi mbarëvajtjen e procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për hapat, përgatitjet që janë bërë si dhe për planet për zhvillimin e saj.
Ministri Demolli shprehu gatishmërinë për transparencë të plotë me faktorët vendorë, strategjik dhe ndërkombëtarë sa i përket procesit të transformimit të FSK-së në FAK.
Nga ana e tij, gjenerali Grass, shef i Gardës Kombëtare të shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehu mbështetje për procesin dhe mbështetje për përpjekjet e institucioneve të Kosovës, për krijimin e infrastrukturës që garanton një ambienti të qetë dhe të sigurte në Republikën e Kosovës.
Në takimin e delegacionit nga Kosova në Pentagon, ishte i pranishëm edhe Atasheu i FSK-së, gjeneral brigade Xhavit Gashi, shefi i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtarë, kolonel Ilir Qeriqi, si dhe oficer e nënoficer të tjerë të Forcës së Sigurisë. /Telegrafi/