Site icon Telegrafi

Ministri dhe komandanti i FSK-së pritën admiralin Mark Ferguson III

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramën pritën në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s(KFP), në Napoli, admiralin Mark E. Ferguson III, i cili shoqërohej edhe nga komandanti i Forcave Paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneral major Guglielmo Luigi Miglieta.

Ministri Demolli, fillimisht, i dëshiroi mirëseardhje admiralit Ferguson dhe më pas e njoftoi atë me të arriturat dhe zhvillimet e përgjithshme në MFSK dhe FSK, bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me KFOR-in dhe me ekipet këshilluese ndërlidhëse të NATO-s për FSK-në (NLAT-it dhe NAT-it).

Gjithashtu ministri Demolli dhe gjeneral Rama e njoftuan admiralin Ferguson për vizitën e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata njëherësh shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për Kosovën dhe në veçanti për zhvillimin e proceseve në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ministri Demolli po ashtu e njoftoi admiralin Ferguson lidhur me dinamiken e zhvillimeve të FSK-së drejt transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës.

Nga ana e tij, komandanti i Komandës së Bashkuar të Forcave të Aleancës në Napoli, admirali Ferguson, vlerësoi lart zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së në përgjithësi.

Ai shtoi se “siguria në Kosovës është jashtëzakonisht e mirë dhe se Kosova është një histori suksesi. Admirali Ferguison po ashtu theksoi se KFOR-i në Kosovë do t’i mbajë edhe më tej forcat e veta me kapacitet që ka, më qëllim të afrimit të sigurisë së përgjithshme”.

Në takimi ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i parë i FSK-së, Fadil Gashi dhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa admiralin Ferguson e shoqëronin edhe shefi i Kabinetit të KFOR-it, koloneli Enrico Barduani dhe këshilltari politik Mr. Carlo Giunipero.

Exit mobile version