Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka pritur ditën e sotme (e mërkurë) në takim ekipin e filmit “Zgjoi”.
Kjo është bërë e ditur nga një postim i bërë në rrjete sociale, në të cilin Çeku thekson se po i ofrohet mbështetje e nevojshme në rrugëtimin e tyre, drejt ‘Oscars 2022’.
Tutje, ministri shton se me gjithë sukseset që janë bërë deri më tani Kinematografia e Kosovës është duke ecur në hap me botën.
“Ky është ekipi i filmt “Zgjoi” që po bën historinë drejt çmimit prestigjioz Oskar. Institucionet e shtetit janë duke e ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë rrugëtim të përbashkët”, tha Çeku.
“Kënaqësi e veçantë takimi i sotëm dhe koha që kaluam bashkë. Artistët tanë vazhdojnë të na përfaqësojnë dinjitetshëm. Kinematografia e Kosovës është duke ecur në hap me botën”, vazhdon më tej ministri.
Filmi kosovar ditë më parë u njoftua se është futur në listën e ngushtë të nominimeve për ‘Oscars 2022’.
Projekti, me protagoniste aktoren Yllka Gashi, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes. /Telegrafi/