Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës kanë bërë sot (e premte) homazhe në nderim të këngëtarit, Ismet Bogujevci.
Ai ka lartësuar figurën e doajenit të muzikës popullore e folklorit shqiptar, gjersa thekson se kjo është një humbje e madhe për komunitetin artistik dhe Kosovën.
Çeku shton se veprat e tij do ta ruajmë e ta dokumentojmë dhe se do t’i shërbejë gjeneratave të ardhshme.
“Ngushëllime të gjithëve, ngushëllime familjes së Ismet Bogujevcit dhe gjithë komunitetit artistik muzikor, gjithë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe të pakompensueshme. Para dy javësh kur kishim takimin e fundit me Bogujevcin që biseduam për Ansamblin ‘Shota’ gjëja e fundit që do më binte në mend është largimi i tij nga jeta, por kështu paska qenë. Ndjej keqardhje që nuk do e kemi njërin nga doajenin e muzikës popullore. Zoti Bogujevci ka qenë shumë i veçantë për shumë arsye, kryesorja ishte modestia e tij, një muzkant i jashtëzakonshëm”.
“Tërë veprimtarinë artistike ia dedikoi popullit vendi të tij për asnjë moment nuk e komercializoi artin e tij. Jam i vetëdijshëm që është humbje e madhe për gjithë Kosovën, por jam i sigurt që do të vazhdoj te jetojë me veprat që ka krijuar. Veprën e tij do ta ruajmë, ta dokumentojmë, ta kultivojmë, vepra e tij do t’i shërbejë gjeneratave të ardhshme”, kanë qenë fjalët e Çekut për Bogujevcin.
Ismet Bogujevci përndryshe ndërroi jetë ditën e djeshme (e enjte).
Ai ka lënë pas një karrierë të bujshme artistike dhe disa nga projektet e tij të njohura janë: “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit”. /Telegrafi/