Telegrafi

Ministri Çeku: Nuk do të lejojmë asnjë shkelje, duam qeverisje të mirë në federata

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se institucioni që ai drejton nuk do të lejojë asnjë shkelje apo tejkalim të normave statutare të rregulloreve të MKRS-së dhe Ligjit të Sportit.

Ai gjatë një fjalimi të mbajtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Ali Shala” e organizuar nga Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës ka theksuar se qeverisja e mirë në federatat sportive është jo vetëm një detyrim për MKRS-në, por edhe angazhim i përditshëm i tyre, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Ditëve të fundit ka pasur një debat të gjerë duke pretenduar nga njëra palë se nuk është shkelur Statuti i FFK-së për thirrjen e Kuvendit Zgjedhor për kryetar më 6 prill dhe nga këndi tjetër se është bërë shkelje.

“Nëse dikush mendon që MKRS-ja do të bëj kompromise në raport me standardet e qeverisjes së mirë në raport me detyrimet statutare të federatave dhe organizatave tjera sportive e kanë gabim”.

“Prandaj nga këtu ju bëj të qartë të gjithëve që MKRS e merr shumë seriozisht qeverisjen e mirë brenda federatave sportive dhe ne nuk do të tolerojmë asnjë shkelje dhe asnjë tejkalim të normave statutare, të rregulloreve të MKRS-së dhe Ligjit të Sportit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çeku. /Telegrafi/