Site icon Telegrafi

Ministri Bytyqi bisedoi për bashkëpunim edhe me disa institucione të arsimit në Iowa

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vazhduar edhe sot vizitën në Iowa të ShBA-ve, ku ka vizituar edhe tri institucione të arsimit: Johnston High School, Norwalk High School dhe Universitetin e Iowas Veriore.

“Gjatë vizitës në Johnston High School, ministri Bytyqi ka biseduar me udhëheqësit e shkollës për mundësitë e binjakëzimit të kësaj shkolle me shkollat e qytetit të Pejës në mënyrë që të hapet mundësia e shkëmbimit të stafit dhe të nxënësve. Kjo shkollë tashmë ka marrëveshje binjakëzimi me qytetin e Pejës. Kjo shkollë, vitin e kaluar ka dërguar katër fëmijë në programin përmes organizatës “Toka” dhe planifikon që këtë vit të dërgojë edhe katër fëmijë të tjerë”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, edhe në Norwalk High School, e cila është e binjakëzuar me qytetin e Vushtrrisë, ministri Bytyqi ka biseduar me udhëheqësin Duanee Magee për mundësitë e bashkëpunimit dhe binjakëzimin e kësaj shkolle me shkollat e Vushtrrisë.

Gjatë vizitës që ka pasur ministri Bytyqi në Universitetin e Iowas Veriore, ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me universitetet kosovare, ndërsa i ka falënderuar për raportin shumë pozitiv që e ka bërë për Kosovën ky Universitet, një ekip i të cilit ka qëndruar në Kosovë me në krye prof. Greg Hamot.

Bytyqi me këto aktivitete i ka dhënë fund vizitës së tij në Iowa të ShBA-ve ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me udhëheqës të lartë të shtetit dhe udhëheqës të universiteteve. /Telegrafi/

Exit mobile version