Site icon Telegrafi

Ministri Bytyçi shpërndau dhurata për fëmijët e SOS Fshatit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, në kuadër të festës së Vitit të Ri, vizitoi sot qendrën e SOS fshatit në Prishtinë, me ç’rast shpërndau dhurata modeste për fëmijët e kësaj qendre.

Në SOS fshat gjejnë mbështjetjen dhe përkujdesjen e duhur fëmijët e moshave të ndryshme të cilët për shkaqe të ndryshme janë braktisur, kanë ngelur pa përkujdesjen e prindërve, janë me nevoja të veçanta ose janë fëmijë me asistencë sociale.

Me këtë rast ministri Bytyqi tha se ka dashur ta ndajë me këta fëmijë gëzimin e Vitit të Ri, me disa dhurata modeste, për t’ua rikujtuar këtyre fëmijëve se e kanë mbështetjen nga ana e ministrisë.

“Ky institucion dhe këta fëmijë kanë nevojë për përkrahje shumë më të madhe institucionale. Konsideroj që tani duhet të kalojmë nga pjesa vullnetare dhe e dëshiruar në pjesën e detyrueshme dhe ne jemi të gatshëm që të diskutojmë së bashku me këtë institucion që të gjejmë mundësitë për të punuar dhe për ta përkrahur institucionin. Këta fëmijë kanë nevojë për përkrahje, kanë nevojë për ambiente të ngrohta por mbi të gjitha kanë nevojë për një edukim , që në fund të jenë ata fëmijë që të jetojnë si të gjithë të tjerët në mënyrë të barabartë”, tha ai.

E ndërsa drejtoresha e SOS Fshatit Nezahat Salihu, e falënderoi ministrin dhe e ftoi atë t’i bashkohet kësaj familje të madhe.

“Ne shpresojmë se do të vijnë më shpesh e jo vetëm për festa kur i kemi, mirëpo edhe gjatë tërë vitit për arsye se këta fëmijë janë këtu dhe jetojnë këtu. Ne jetojmë me donacione edhe kemi nevojë për përkrahje institucionale pak më të madhe. Është e vërtetë se kemi pasur kohë pas kohe përkrahje mirëpo unë mendoj që ajo ka qenë më shumë vetëm një “Infuzion përkohësisht”, mirëpo thjesht ne kemi nevojë për një përkrahje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme “, tha ajo.

Në SOS fshat janë gjithsej 76 fëmijë të vendsour, të moshave prej 0 deri 20 vjeç, madje edhe 25, të cilët vijojnë mësimet në institucionet arsimore të Kosovës dhe e gëzojnë mbështetjen e SOS fshatit deri në pavarësimin e tyre financiar.

Exit mobile version