Site icon Telegrafi

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Nehammer: Njëri prej sulmuesve ishte Kujtim F. nga Maqedonia e Veriut

Vrasësi, i cili u qëllua nga policia në sulmin në Vjenë, ishte 20 vjeçar dhe kishte prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Ai gjithashtu kishte një të kaluare kriminale duke marrë pjesë në organizata terroriste.

Sipas Ministrit të Brendshëm, Karl Nehammer, Kujtim F. ishte një mbështetës i organizatës terroriste “ISIS”, raporton APA.

Ai u dënua me 22 muaj burg më 25 prill të vitit 2019 për përpjekjen që të udhëtojë drejt Sirisë, ku do t’i bashkohej ISIS-it. Më 5 dhjetor, ai u la i lirë me kusht, transmeton Telegrafi.

Kujtim konsiderohej si i ri dhe kështu shfrytëzoi privilegjin e Ligjit për të Mitur (JGG). Djaloshi 20-vjeçar u qëllua për vdekje nga forcat e policisë pranë Ruprechtskirche, tha ministri i brendshëm.

“Ai ishte pajisur me një rrip shpërthyes dhe një armë automatike të gjatë, një pistoletë dhe një hanxhar për të kryer këtë sulm të tmerrshëm ndaj qytetarëve të pafajshëm,” tha ai.

Ndryshe, Austria deri më tani ka konfirmuar se kanë vdekur pesë persona dhe të paktën 17 të tjerë janë të lënduar. /Telegrafi/

Exit mobile version