Sot ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Rrustem Berisha priti në takim pune ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Berisha shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, ndërsa theksoi se bashkëpunimi i mirë i deritashëm në mes të dy ministrive do të thellohet edhe më tej sidomos në fushat e edukimit, trajnimit dhe të ushtrimeve të përbashkëta në mes ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së.
Berisha u shpreh se Kosova, përkatësisht MFSK-ja po pret angazhimin e Shqipërisë për inkuadrimin e Kosovës në nismat regjionale të sigurisë, e cila me përvojën e saj do ta ndihmojë edhe në fushën e integrimeve euroatlantike.
Po ashtu, ministri Berisha e njoftoi ambasadorin Minxhozi rreth procesit të transformimit të FSK-së në FAK, i cili proces, siç tha ai, kërkon angazhimin e faktorëve relevantë të brendshëm në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës.
Minxhozi e uroi ministrin Berisha për detyrën e re, duke nënvizuar se Shqipëria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë në mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe MFSK-së, si dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët në të mirë të sigurisë së dy vendeve tona, rajonit dhe më gjerë.
Ambasadori Minxhozi, në fund të takimit, paralajmëroi edhe vizitën e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaqka, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor. /Telegrafi/