Telegrafi

Ministri Beqiri priti Ministrin turk Günay

Fillimisht, Ministri Valton Beqiri i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë Ministrit Günay dhe, njëkohësisht, e falënderoi atë për angazhimin e shtetit turk në restaurimin e objekteve të periudhës osmane, të cilat janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Dy vendet tona, shtoi më tutje Ministri Beqiri, kanë lidhje të gjata historike dhe kulturore, mbi bazamentin e të cilave mund të shtrihet dhe zgjerohet më tutje bashkëpunimi i gjithanshëm kulturor. Gjithashtu, Ministri Beqiri tha se shteti turk me përvojën e tij të gjatë mund ta ndihmojë Kosovën në procesin e anëtarësimit dhe të bashkëpunimit me UNESKO-n.

Ndërkaq, Ministri Ertuğrul Günay, pasi e falënderoi Ministrin Beqiri për mikpritjen, e përgëzoi atë për pavarësinë e Kosovës. Turqia, tha ai, e konsideron Kosovën si një shtet vëlla, të cilin do të vazhdojë ta ndihmojë edhe më tutje. Ai nënvizoi se, krahas kontributit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe donacioneve të premtuara në Konferencën e paradokohshme të Donatorëve, Turqia, në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit ndërkulturor, do të ndërtojë në Kosovë edhe një Qendër Kulturore Turke. Më tutje, Ministri Ertuğrul Günay tha se Turqia, përmes ekspertëve të saj të trashëgimisë, do ta ndihmojë Kosovën në procesin e rëndësishëm të bashkëpunimit me UNESKO-n.