Darka e iftarit e organizuar nga ministri aktual i Shëndetësisë Bekim Sali gati një muaj më parë në hotelin “Hilton” të Shkupit ka kushtuar rreth 8 mijë euro, ka konfirmuar ai për mediat.
Për shumën totale, shefi i shëndetësisë ka dërguar edhe një faturë në redaksinë e gazetës Fokus, ku rezulton se e ka paguar faturën përmes Shoqatës së tij private stomatologjike “Molar Dent”, ku ai është pronar.
Sipas faturës, në të gjitha darkat e iftarit kanë marrë pjesë 705 persona, ndërsa menyja ka kushtuar 1000 denarë për person, me 30 për qind zbritje.
Siç ka raportuar tashmë gazeta maqedonase Fokus, janë organizuar disa mbrëmje iftaresh, njëra prej të cilave ishte posaçërisht për gazetarë, ndërsa tjetra për disa nga drejtorët, mjekët dhe stafin mjekësor të klinikave të Shkupit, vetëm të besimit mysliman, gjë që më pas u konfirmua nga Ministria e Shendetesisë.
Redaksia e Fokus ka marrë reagime të shumta nga drejtorët, mjekët dhe stafi mjekësor i klinikave, se përse vetëm një pjesë e caktuar ishin të ftuar, ndërsa të tjerët jo.
Për këtë temë, “Fokus” ka biseduar edhe me ministrin aktual, i cili fillimisht ka thënë se ftesa ka qenë e hapur për gjithë stafin klinik, por më pas ka konfirmuar se ishin ftuar vetëm ata të besimit islam.
Takimet e tilla të iftarit gjatë viteve të fundit janë organizuar nga disa politikanë, ndërsa para katër vitesh ish-kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, ishte i ftuar në një iftar të organizuar nga vetëqeverisja lokale.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka organizuar iftar në vitin 2015 me rastin e agjërimit të Ramazanit për anëtarët dhe simpatizantët e OBRM-PDUKM-së dhe partnerëve të koalicionit të besimit islam.