Site icon Telegrafi

Ministri Bedri Hamza “harron” premtimin?!

Në çdo segment të jetës duhet të ekzistoj etika, e cila manifestohet tek të qenit njeri. Politika si “art i se mundshmes” ka aspektet e saja të zhvillimit të realizimit të synimeve qoftë individuale ose të një grupacioni të caktuar. Tek ne kjo sikur ka devijuar në forma dhe në një masë të tepërt, pasi tani lere që po rrejnë hapur këta politikanë, por më e keqja nuk e pranojnë të kenë thënë diçka, kur një premtim i rikujtohet ta ketë dhënë më herët.

Një prototip i tillë na u dëshmua të jetë edhe ministri i Financave i Republikës së Kosovës z.Bedri Hamza, i cili realisht fitoi një simpati tek shërbyesit civil pasi u mundua me mish e shpirt për gjetjen e modaliteteve për rritje të pagave, edhe pse u tejzgjat ky premtim se pagat do të merren “këtë të enjte, atë të enjte”. Ky zotëria dalëngadalë po shfaqë shenjat e simptomës se nuk mund të shpëtojë, të jetë ndryshe nga pjesa tjetër e qeveritarëve, të cilët çdo ditë e kanë 1 Prillin.

Z.Hamza në një konferencë për media përveç se paralajmëroi se vjen në Kosovë një ekip i FMN-së për të diskutuar rreth ekzekutimit të buxhetit të këtij viti, nuk iu përmbajt premtimit të dhënë. I pyetur nga gazetarët rreth premtimeve të mëhershme për dhënien e pagave për muajt e parë të vitit, pra Janar dhe Shkurt, në mënyrë retroaktive, ministri Hamza në mënyrën “habitore” reagoi duke thënë se “Nuk kam dëgjuar që ka pasur premtime”?!

Mbase ministri në fjalë ka “harruar”. Qeveria të cilës i përket Hamza, lëshoi një deklaratë më 2 Shkurt 2011, në të cilën thuhet: “Vendimi i Qeverisë Nr. 02/151 i datës 6 janar 2011 për rritjen e pagave në sektorë të caktuar, që paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, mbetet në fuqi dhe se i njëjti do të zbatohet në mënyrë retroaktive”.

Tani këtu dalin në pah dy gjëra, e para e demanton të dytën ose kjo e fundit ritheskon se këto ishin vetëm premtime të prototipit të “fushatave zgjedhore”, ku ekziston ligji i pashkruar se “nuk është i marr ai që premton, por ai që beson”.

Udhëheqja e pushtetit me një mentalitet të tillë qeverisës dhe instalimi i një fryme të tillë qeverisëse dëmton imazhin e një Qeverie që duhet të jetë kredibile dhe ulë nivelin e saj të besueshmërisë. Atë që më së paku duhet të bëjnë, jo vetëm ministri Hamza, por edhe e tërë Qeveria e Republikës së Kosovës, është të iu kërkoj falja mbi 70 mijë shërbyesve civilë, të cilëve iu ishte premtuar marrja e retroaktivit.

Në vendet ku ka një shkallë më të lartë të demokracisë, për këtë mashtrim do të jepet dorëheqje jo vetëm ministri, në këtë rast i Ekonomisë, por edhe i tërë kabineti qeveritar. Por tek ne demokracia është e brishtë, populli i lodhur nga hallet dhe dertet për ekzistencë, dhe me një sindikatë totalisht jo kredibile dhe e politizuar, nuk mund të pritet asgjë tjetër, vetëm se na mbetet të shpresojmë se kjo “Kohë e Maskarenjve” siç e quan poeti i madh Ali Asllani, do të përfundojë. Dhe më në fund të kemi në krye politikanë, të cilët rrenën nuk e kanë agjendë të tyre politike, por interesin e qytetarit!

Exit mobile version