Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka marrë vendim për kompenzimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.
Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik do të bëhet në tri forma.
Orët e humbura do të zëvendësohen në pushimin pranveror, gjatë të shtunave, si dhe do të zgjatet për pesë ditë përfundimi i vitit shkollor, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, greva e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kishte zgjatur për tri javë rresht.
Kjo për shkak të pakënaqësive me Projektligjin për Paga.
Por greva u ndërpre, pas një takimi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas të cilit u tha se kërkesat e tyre janë plotësuar.
Komunikata e plotë:
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë vendim për kompenzimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve të organizuar nga SBAShK-u.
Mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve do të zëvendësohen si në vijim:
5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;
5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;
5 (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019; /Telegrafi/