Site icon Telegrafi

Ministri amerikan fton në takim zyrtarët kanadezë – kryeministri i Ontarios pezullon përkohësisht tarifën shtesë

Kryeministri i provincës kanadeze të Ontarios, Doug Ford, njoftoi se do të pezullonte përkohësisht taksën 25 për qind për eksportin e energjisë elektrike në SHBA, gjatë periudhës së bisedimeve me zyrtarët amerikanë.

Ford konfirmoi se sapo ka folur me ministrin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, i cili, siç tha ai, ka ftuar përfaqësuesit kanadezë në një takim në Washington. Ford njoftoi se do t’u përgjigjet ftesës, por theksoi se Ontario do të ruajë mundësinë e vendosjes së tarifave për energjinë elektrike nëse është e nevojshme.

Duke komentuar situatën aktuale, Ford tha se do të ishte “opsioni më i keq” të prisje deri më 2 prill, kur Donald Trump pritet të dyfishojë taksat për çelikun dhe aluminin kanadez.

“Në tregje ka kaos të plotë”, tha kanadezi, duke përmendur se indeksi amerikan S&P 500 ra dje me 2.7 për qind, që ishte dita më e keqe e vitit.

Ford theksoi se dëshiron bisedime produktive me zyrtarët amerikanë, por se nuk do të “bjerë në gjunjë”, shkruan cnn.

“Ne nuk do të dorëzohemi para askujt. Kanadaja nuk funksionon në këtë mënyrë”, tha ai.

Ford shtoi gjithashtu se problemet në marrëdhëniet tregtare nuk duhet të kufizohen në konflikte mes SHBA-së dhe Kanadasë, por të dyja vendet duhet të fokusohen tek Kina, të cilën e quajti problemin e vërtetë.

Lexo po ashtu Trump rrit tarifat për importet kanadeze të çelikut dhe aluminit në 50% - si hakmarrje për tarifat e energjisë nga Ontario

Ulja e tensioneve Ford konfirmoi se do ta shoqërojë në udhëtimin për në Washington dhe ministri kanadez i Financave, Dominic LeBlanc.

“Të dyja palët janë nën presion dhe është koha për të ulur tensionet”, pohoi kryeministri, duke theksuar se Kanadaja nuk do të heqë dorë nga kundërmasat nëse SHBA vendos të rrisë tarifat.

Ai gjithashtu tha se është në kontakt të vazhdueshëm me guvernatorët e shteteve amerikane që mund të preken nga mundësitë e ndërprerjeve të energjisë elektrike, duke përfshirë Minnesota, Michigan dhe New York. /Telegrafi/

Exit mobile version