Ministri për punë të brendshme, Agim Nuhiu, sot e vizitoi SP për Mbikëqyrje kufitare Jazhincë, ku, për shkak të reshjeve të mëdha të borës, ky aks rrugor ishte i mbyllur për qarkullim, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ministri Nuhiu u informua për gjendjen e SP për MK Jazhincë dhe për aktivitetet që janë ndërmarrë për tejkalimin e bllokimit të trafikut të shkaktuar nga reshjet e borës. Gjatë kësaj, me nismë të ministrit Nuhiut, qytetarëve te bllokuar u është ofruar qëndrim në hapsirat e SP për MK ku është organizuar furnizim me ushqime të ngrohta për disa nga pasagjerët e bllokuar.
Nuhiu e ka vizituar edhe SP për kontrollë kufitare në Aeroportin ”Aleksandri i Madh” ku nga të punësuarit në stacionin policor është informuar në lidhje me situatën aktuale për funksionimin e punës të kësaj Njësie organizative policore nga aspekti i kontrollit kufitar për hyrje dhe dalje nga shteti, frekuentimi i udhëtarëve, si dhe një sërë aktivitetesh që janë marrë për qarkullim të sigurtë të trafikut ajror. Njëkohësisht ministri Nuhiu u takua edhe me drejtorin e përgjithshëm të TAV me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit të shërbimeve policore dhe shërbimeve të aeroportit./Telegrafi/