Site icon Telegrafi

GRECO me rekomandime për pushtetin ekzekutiv në Maqedoni

Grupi i vendeve në luftën kundër korrupsionit – GRECO në raportin e fundit për Maqedoninë e Veriut propozon 23 rekomandime për parandalimin e korrupsionit te pushteti ekzekutiv dhe te policia.

GRECO kërkoi transparencë më të madhe nga ministrat gjatë angazhimit të këshilltarëve të tyre. Asnjë ministri, thonë nga GRECO, përveç kabinetit të kryeministrit, nuk i publikon emrat e këshilltarëve që angazhohen, pagat e tyre dhe detyrat që i zbatojnë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Përveç kësaj, GRECO kërkon që të ndryshohet kodeksi etik i funksionarëve ku do të parashihet dënim me të holla për shkeljen e kodeksit nga ana e ministrave.

“Deputetët sollën Kodeks ku theksuan se secila darkë/drekë më e shtrenjtë se 100 euro duhet të paraqitet ndërsa dhurata të mbesë në institucion. Rregull të njëjtë kërkohet edhe në Kodeksin etik të ministrave. Duhet të ketë regjistër të dhuratave se ku ndodhen. Një shembull tjetër janë udhëtimet zyrtare, nëse për shembull një ministër në detyrë shoqërohet nga bashkëshorti apo bashkëshortja, udhëtimi nuk duhet të paguhet nga shteti. Për të gjitha këto shkelje duhet të ketë dënime me para për ministrat”, sqaron Ana Pavlovska Daneva, shefe e delegacionit të GRECO-s në Maqedoni.

Trajnimet se çdo të thotë sjellja etike, integriteti dhe se si duhet të parandalohet konflikti i interesit duhet të zbatohet nga Komisioni Anti-korrupsion.

Përndryshe, ministrat kanë të drejtë të angazhojnë tre këshilltarë të jashtëm dhe tre këshilltarë që veç se janë punësuar në administratë.

“Për këshilltarët në Kabinetin e Zaevit, rreth 50, GRECO s’ka vërejtje për numrin, por insiston të kontrollojë për ndonjë konflikt eventual të interesit, përkatësisht nëse këshilltari në pozitën e tij mund të ndikojë në avancim apo për interesa tjera të personave të tyre të afërt”, thonë nga GRECO.

Pjesa më e madhe rekomandimeve janë për policinë. GRECO kërkon të ndryshohet Ligji për polici dhe të precizohen kriteret për zgjedhjen e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike.

“Drejtori i Byrosë për Siguri Publike duhet të zgjidhet nëpërmjet kritereve profesionale, dhe jo kualifikime të përgjithshme siç është tani, ku secili mund të bëhet drejtor i BSP-së. Kriteret profesionale do të jenë një lloj garancie se ai do të jetë profesional dhe se nuk do të ndërrohet kur do të ndërrohet pushteti”, thonë nga GRECO.

Në raport me kontrollin e brendshëm në MPB, GRECO vëren se ky trup që duhet të vendos për të gjitha shkeljet nga ana e policisë “nuk është e ndarë nga ndikimi eventual politik dhe ka ndikim nga ana e ministrit”.

Nga GRECO kërkojnë më shumë transparencë nga policia dhe publikisht kërkon të publikohet buxheti që është në dispozicion dhe se ku shpenzohet këto para.

Këto rekomandime Maqedonia do të duhet t’i plotësojë në afat prej 18 muajve, përkatësisht deri më 30 shtator të vitit të ardhshëm./Telegrafi/

Exit mobile version